Tryezë diskutimi mbi Mekanizmat e mbështetjes dhe Burimet financiare për Artit Pamor në Shqipëri

Tryezë diskutimi mbi Mekanizmat e mbështetjes dhe Burimet financiare për Artit Pamor në Shqipëri

Nga: United Nations Association Albania

2024-03-29


Patëm kënaqësinë që më 29 mars 2024 të zhvillonim tryezën e e diskutimit mbi hulumtimin (policy paper-in) “Mekanizmat e Mbështetjes dhe Burimet Financiare për Artet Pamore në Shqipëri” hartuar nga hulumtuesit Pavjo Gjini dhe Çelik Rruplli. Gjatë këtij takimi të zhvilluar te Tulla Culture Center pjesëmarrës ishin agjentë të kulturës në Shqipëri, artistë, studiues të fushave të artit, gazetarë dhe kuratorë. Pas prezantimit hapës të autorëve Pavjo Gjini dhe Çelik Rruplli, u zhvillua paneli i diskutimit me zv. ministren e MEKI, znj. Lira Pipa; drejtorin e Muzeut Marubi, z. Luçian Bedeni; drejtoreshën e British Council në Ballkanin Perëndimor, znj. Majlinda Mazelliu dhe përfaqësuesin e Swiss Cultural Fund z. Kleidi Eskin.

Hartuesit e hulumtimit Pavjo Gjini dhe Çelik Rruplli, prezantuan përmbledhtazi gjetjet e tyre duke u zgjeruar në kontekstin shqiptar të zhvillimeve të arteve pamore, si dhe paraqitën rekomandimet e tyre për përmirësimin e politikave kulturore në vend. Ndër rekomandimet kryesore të hulumtimit, veçojmë: Dialog i vazhdueshëm mes artistëve dhe institucioneve qendrore dhe vendore; Transparencë proaktive nga institucionet; Krijimi i një regjistri kombëtar dhe regjistrave lokalë për artistët (individë dhe organizata); Krijimi i një fondi të dedikuar për projekte të arteve pamore; Miratimi i një ligji për statusin e artistit në bashkëpunim dhe dialog me komunitetin artistik; Krijimi i Qendrës për Hulumtimin e Arteve dhe Kulturës.

Në fjalën e tyre, panelistët theksuan rëndësinë e hulumtimeve të tilla si thelbësore në konceptimin e strategjive që asistojnë zhvillimin e arteve pamore në Shqipëri, duke pohuar njëkohësisht edhe problematikat e parashtruara tashmë në hulumtimin, ndër të cilat më e ngutshme ajo e mungesës së fondeve. Zv. Minstrja theksoi aspektin vendimmarrës të Ministrisë, duke parashtruar disa nga prioritetet e këtij institucioni për të ardhmen, ndër të cilat: rishikimi i skemave të financimit për të rritur transparencën dhe qëndrueshmërinë; përfshirja e artistëve në proceset vendimmarrëse dhe rritja e buxhetit për artin dhe kulturën. Drejtori i Muzeut Marubi, z. Luçian Bedeni, ndau punën e mirë që institucioni i tij bën në vlerësimin me honorare për artistët dhe kuratorët që janë të angazhuar pranë këtij institucioni. Ndersa znj. Mazelliu dhe z. Eski, si përfaqësues të donatorëve ndërkombëtarë për sektorin e artit dhe kulturës në Shqipëri, ndanë eksperiencën e tyre në punën përkrah institucioneve publike por edhe sfidat që shpesh lindin nga këto bashkëpunime.

Pas fjalës së secilit nga panelistët, u çel sesioni i pyetjeve dhe diskutimeve, gjatë të cilit pjesëmarrësit mundën të bënin pyetjet e tyre. Gjatë këtij sesioni, u vu në pah sërish nga vetë artistët dhe gazetarët mungesa e fondeve, mungesa e transparences dhe problematikat me të cilat hasen artistët e pavarur në manovrimin sidomos ekonomik në sektorin kulturor. Ndër të tjera, u rishtrua pyetja e visibilitetit të rekomandimeve të hulumtimit dhe hapat e mëtejshëm që Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit do të marrë ne respektimin e tyre. U theksua nevoja e krijimit të skemave të mbështetjes operacionale për organizatat e artit dhe kulturës, për të cilën zv. ministrja znj. Pipa, u shpreh se po shqyrtohet ideja e krijimit të skemave të mbështetjes 3-vjeçare për organizatat e stabilizuara në ekosistemin kulturor. Nga artistët e pavarur, u shqua si problem mungesa e pagesave të honorareve për artistët që marrin pjesë në ekspozita si dhe nevoja e krijimit të koleksioneve publike të cilat mbështesin artistët, por edhe krijojnë memorien e artit bashkëkohor. Shpesh në diskutime, u mor si referencë e politikave të mira në rajon Kosova, si për hartimin e ligjit për statusin e artistit, ashtu edhe për modelin e skemave mbështetëse për artin pamor; si dhe principi i distancës së krahut nga politika (Arms Length Principle) si një model i huazuar nga Britania e Madhe dhe vendet skandinave për të mbrojtur lirinë e shprehjes së artistëve nga politika qendrore apo lokale nëpërmjet krijimit të kolegjiumeve (përgjegjëse për vlerësimin e projekteve) me përbërje ekspertësh të fushës dhe jo punonjësish publikë.

Në përfundim, panelistët dhe pjesëmarrësit së bashku, dhanë idetë e tyre mbi strategjitë ekonomike më efektive në zhvillimin e kulturës dhe të sektorëve të saj. Si dhe zv. Ministrja u zotua për shqyrtimin e mëtejshëm të rekomandimeve dhe mundësinë e implementimit të tyre në politikat e Ministrisë së re.

Photo: Joana Selishta

Dokument Politikash_ Mbi Mekanizmat e mbështetjes dhe Burimet financiare për Artet Pamore në Shqipëri

Artikuj

Eksploroni njohuri dhe analiza magjepsëse dhe zbuloni historitë dhe këndvështrimet e krijuesve që formojnë peizazhin kulturor të Shqipërisë.

HARTA 5 - Institucionet artistike në Shqipëri: Tri perspektiva Thu Jan 01 1970

HARTA 5 - Institucionet artistike në Shqipëri: Tri perspektiva

Lexo më shumë
HARTA 4 - A është letërsia formë e artit pamor apo dëgjimor? Wed May 08 2024

HARTA 4 - A është letërsia formë e artit pamor apo dëgjimor?

Lexo më shumë
Tryezë diskutimi mbi Mekanizmat e mbështetjes dhe Burimet financiare për Artit Pamor në Shqipëri Fri Mar 29 2024

Tryezë diskutimi mbi Mekanizmat e mbështetjes dhe Burimet financiare për Artit Pamor në Shqipëri

Lexo më shumë