Kulturë e plogësht e kinemasë (dhe një copë rruge me time mbesë)

Kulturë e plogësht e kinemasë (dhe një copë rruge me time mbesë)

Nga: Elsa Demo

2023-09-15

Ky artikull është pjesë e serisë së artikujve MAPS – Një Udhëtim i Shkruar mbi Artin Bashkëkohor Shqiptar. Kjo seri, e komisionuar nga Programi UNAA x ArtNexus, nuk do të hedhë thjesht dritë mbi prodhimin dhe shpërndarjen artistike; ajo synon të analizojë dhe dokumentojë në mënyrë kritike kushtet dhe metodologjitë mbizotëruese në të cilat lundrojnë artistët. Duke e bërë këtë, ajo jo vetëm që forcon aspektin e avokimit të nismës ArtNexus, por gjithashtu e gërsheton artin në strukturën e bisedave të përditshme, duke stimuluar rritjen ekonomike brenda sektorit.

Nga Elsa Demo

Për të skicuar një panoramë të kinemave dhe spektrin e shfaqjes e të transmetimit të filmit në Shqipëri, u riktheva në disa vende me dhe pa traditë në kulturën e kinemasë ose me traditë të ndërprerë të kësaj praktike.1 Në prekje të parë, panorama duket e sheshtë: Shqipëria nuk ka kinema publike ose kinema të qytetit. Pas kësaj fshihen dominancat, modat, entropia e shoqërisë, që kanë sjellë ndryshime në vitet e fundit në natyrën e kinemasë si hapësirë publike dhe në mënyrën se si përjetohet ajo.

Tërhoqa disa herë në udhëtim edhe time mbesë adoleshente. Në shoqërinë e saj dolën pyetje për rëndësinë që ka kinemaja tek adoleshentët, si bien në kontakt dhe si ndërveprojnë ata me modelet e imagjinatës së shëndetshme apo fantazisë së sëmurë, që iu ofron kjo formë e kulturës popullore. 

Për të parë “Sirenën e vogël” në një kinema tradicionale në Tiranë, ftuam dy moshatarë të saj. Me pak mundim, i shmangën në sallë kokoshkat dhe celularin. Asaj nuk i pëlqeu movie, aq sa përralla e Andersenit, ku shtriga e detit nuk bëhet kurrë e zonja e shtatë deteve dhe, ç’është më e rëndësishmja, sirena e vogël nuk ka një fund të lumtur me princin që dashuron. Ajo sakrifikon veten dhe në një jetë tjetër bëhet bijë e ajrit. “Përralla më ka bërë të qaj”, tha kur dolëm dhe krahasimin me atë që pa në ekran e zgjeroi më pas në letër. 
M’u kujtua çfarë shkruan Susane Sontag në vitet ’90, më fort për kinemanë si industri sesa kinemanë si art: “Nëse kinefilia ka vdekur, atëherë edhe filmat kanë vdekur. Nëse kinemaja mund të rilindë, kjo do të ndodhë vetëm përmes lindjes së një lloj dashurie të re për kinemanë”.2

"Në prekje të parë, panorama duket e sheshtë: Shqipëria nuk ka kinema publike apo kinema të qytetit. Pas kësaj fshihen dominancat, modat, entropia e shoqërisë, që kanë sjellë ndryshime në vitet e fundit në natyrën e kinemasë si hapësirë publike dhe në mënyrën se si përjetohet ajo."


Për “Barbin” e tërhoqa të voglën jashtë qytetit për t’i treguar se si ndryshon objekti dhe modeli i hyrjes në një lloj tjetër kinemaje, multiplex-in.3 “Bëmë mirë që erdhëm”, tha ajo. I kishim blerë biletat në të njëjtin banak ku shiten popcorns dhe nachos, sipas stilit ndërkombëtar të konsumit; kishim hyrë me paragjykim në njërën sallë pothuajse bosh, ku ndodheshin një grua e re dhe një vajzë; ishim rehatuar në ndenjëset e kuqe të bollshme; ishim përfshirë në natë ku zëri je vetë ti, falë sistemit të tingullit që të rrethon 360º dhe cilësisë së figurës, përmes teknologjisë së transmetimit RealD 3D dhe projektorit lazer, që dallon nga ajo në Millenium, kinemaja e parë moderne në Shqipëri njëzet vjet të shkuara.4 Edhe këtu e gjen të saktë vërejtjen e studiuesve, të cilët flasin për një sinergji midis arkitekturës së stilit ndërkombëtar të cineplex-it dhe filmave të Hollivudit. Të dyja krijojnë iluzionin se konsumi masiv i stilit amerikan është i arritshëm për të gjithë, pavarësisht gjinisë, klasës apo përkatësisë etnike.5 Në fakt, qysh prej vitit ’81, në Evropë, në Belgjikë së pari, dukuria e kinemasë multiplekse i ka shërbyer sektorit të argëtimit, si pjesë aktive e një mënyre jetese që përqendrohet në rritjen e konsumit.
“Bëmë mirë që e pamë”, thamë kur dolëm, këtë film të ngopur në pink, por bardhezi për narrativën dhe karakteret e thjeshtuara, një kapërcim për shkurt i kukullës Barbie që, kur kthehet si grua në botën reale, ndjen se ka vaginë dhe gjëja e parë që kërkon, është takimi me gjinekologun. 

Po pse u përfshimë dhe cilës audience i përkasim? 
Kinemaja mainstream krijon idenë se e njohim realitetin, thotë Michael Haneke. Aty e mira dhe e keqja bëhen të konsumueshme, madje të gëzueshme. Në realitet, ne pak shohim dhe nuk arrijmë t’i njohim njerëzit dhe botën. Flasim por nuk komunikojmë. Prandaj arti i vërtetë thotë pak për gjërat dhe fragmentimi - fragmentimi i përvojave si karakteristikë e jetës në qytet – i jep mundësi shikuesit të gjejë pjesën e vet. Filmat autorë, kinemaja e pavarur e arrijnë këtë.  
Në kinema “Agimi”, pardon, Qendra e Artit Audiovizual Agimi (ka për logo një tip skice njëqelizori), u shfaqën së fundi punë në videoart dhe filma të shkurtër nga studentët e Universitetit të Arteve. Duke pritur orën 20:00, të rinjtë në grupe tymosnin në trotuarin e Pallateve Agimi. Janë audiencë e re që ndjek ngjarjet kulturore jokonvencionale. Kanë mundësi të shohin filma në një gamë të gjerë pajisjesh dhe ambjentesh: kinepleks, art house, televizion, DVD, kompjuter, po edhe në smartfonë e tabletë dhe, siç thonë studimet e publikut të kinemasë, transmetimi i filmave nuk shënon vdekjen e përvojës së kinemasë në sallë kinemaje. Mund t’i quash omnivorë këta të rinj, eurofilë ose adhurues të filmit evropian, po edhe eklektikë, që e vlerësojnë kinemanë më shumë sesa thjesht argëtim.


"Në rastin tonë, që studime në këtë fushë nuk kemi, do duhet të shtrojmë shqetësimin nëse qendra “Agimi” do të ofrojë vlera dhe kinema jokonvencionale, sepse këto janë instrumente që nxitin të menduarit jopopullor, i cili, sipas Pier Paolo Pasolinit, nuk ka të bëjë me pritshmëritë dhe realitetet konvencionale, por i provokon spektatorët të mos ndihen rehat me veten dhe me pozicionet që mbajnë për çështje që u serviren nga perspektiva hegjemone. Atëhere po, që ka për të qenë kinema kulturore që zhvillon angazhimin kritik të audiencës. Sot “Agimi” është e vetmja hapësirë shtetërore në Shqipëri me parametrat e duhura për projeksion filmi."


Zyrtarët që bëjnë politikat për kulturën, qendrat hibride si “Agimi” i quajnë multifunksionale në shërbim të industrisë kreative. 
“Nëse doni të jeni cool, vizitoni qendrën Agimi”, thoshte një prezantuese televizive. Ajo e identifikoi si një vend në modë e që në gjuhën e marketingut përdoret për të tërhequr sa më shumë audiencë. Për shembull, parapremiera në Tiranë e “Mission impossible”, u pri nga një marketing që i joshte univorët (spektatorin që kufizohet në format popullore të kulturës) t’i bashkoheshin atmosferës së projeksionit me pije dhe DJ. 


"Nga bodrumi i “Agimit” vjen erë e rëndë. Sipër, në dritaret e fasadës, dikur në vitet dymijë, shpalleshin afishet e filmave pornografikë.6 Njerëzit kalonin përditë para kësaj skenografie. Tirana ishte qytet të papunësh dhe migrantësh. Ishte kostoja e terapisë së shokut për të transformuar regjimin autoritar socialist në demokraci kapitaliste nga brenda jashtë. Tirana është qytet të papunësh dhe migrantësh që mund të hyjnë në pornografi dhe ultradhunë përmes një ekrani xhepi (dhe nuk ua kanë ngenë parental controls)."


Në “Agimin” e rikonstruktuar vishesh me krem drite, efekt i dizajnit të ndriçimit, gjen sofa dhe perde veluri, ulëset e kuqe janë zëvendësuar me të gjelbra, por konstaton se nuk ka gjetur zgjidhje izolimi akustik. Dëgjohen zhurmat e forta nga jashtë. Deri tani aty është shfaqur një klasik si “It’s a wonderful life” i Frank Capra-s. Në fillim shtatori u mbajt edicioni i parë i festivalit të kineastëve të rinj evropianë, ku u prezantua pas 30 vitesh edhe “Nekrologji” i Fatmir Koçit dhe u mbyll me tapetin e kuq, imitimi ku bien festivalet provinciale kur bëhen nga njerëz në konflikt interesi, bashkëshortë që angazhojnë në skuadra kinefilësh 7 fëmijët e miqve, çka nuk i ka lënë festivalet të rriten si ngjarje arti për një komunitet vital. Në mungesë të kinemave publike dhe jokomerciale, janë festivalet që mund ta nxjerrin gjendjen nga përtacia dhe plogështia. Të dyja këto institucione, kinemaja dhe festivali, rrinë të shkëputura nga aktiviteti shkollor dhe ai universitar, të cilit i mungojnë programet e edukimit për filmin (dhe jo vetëm për filmin), një arsye tjetër kjo pse nuk gjen publik në kinema edhe në ditët e festivaleve.
Në Tiranë dhe në Shkodër funksionojnë herë pas here edhe kino-klubet ose art house-s, si një lloj kinemaje e specializuar, sidomos për filmin e pavarur. Artisti Lek Gjeloshi organizon prej muajit prill në Art House në Shkodër një kino-klub, siç ka funksionuar për bukuri për disa vjet në kinemanë “Xhim e Xhon Belushi” (120 vende) në shkollën “Marubi”, e ndonjëherë edhe në kinemanë e Arkivit Qendror të Filmit (120 vende). Seksioni i parë i dedikohej komedisë së zezë me katër filma nga vitet ’80-të, ’90-të dhe ’00, konkretisht “Legend of Kaspar Hauser” Davide Manuli, “True Romance” Tony Scott, “After Hours” i Martin Scorsese dhe “Four Rooms” Rodriguez/Anders/Rockwell/Tarantino. Pas një pauze verore prej Ekranit të Artit, kino-klubi me një bërthamë njerëzish 20-30 vetë, rikthehet në shtator. “Ne nuk sjellim propozime të reja, por rivlerësime. Nuk na intereson përjetimi i spektaklit, por refleksioni mbi veprën filmike si eksperiencë imazherike dhe auditive”, thotë Leka. Parë nga kjo persektivë, “një kinema, maksimumi, mund të digjet, por jo të vdesë”. Prandaj rivitalizimi i audiencave ka rëndësi për kulturën e kinemasë.
Kërkova të dhëna mbi shikueshmërinë e filmit shqiptar pranë Qendrës Kombëtare të Kinematografisë dhe më drejtuan tek kinematë private, duke nënkuptuar sa problematike është gjithçka që pengon pasjen e një tregu të brendshëm për filmin, nga shoqatat e kineastëve tek producentët, mbrojtja e të drejtës së autorit, shpërndarja e produksioneve shqiptare dhe evropiane. 


Kinema Millenium nuk iu përgjigj kërkesës. Zyra e Marketingut pranë CineplexxAL, më ofroi një listë, të cilën nuk mund ta botoj të plotë pa lejën e secilit distributor për filmin shqiptar! Për cilindo hulumtues është e pamundur t’i hyjë identifikimit të publikut pa statistika të plota dhe nisur vetëm nga numri i spektatorëve e biletave. Producentët, ngaqë janë jetëshkurtër në treg apo ngaqë kanë frikë nga kontrollet tatimore, nuk japin të dhëna (edhe premierat i organizojnë pa praninë e gazetarëve), pavarësisht se filmat i bëjnë me fondet publike të taksapaguesve shqiptarë dhe evropianë (fondet e Euroimages apo Creative Europë ku sërish është shteti shqiptar që paguan kuotë të përvitshme). 


"Sipas statistikave të CineplexxAL8, në vitet 2019-2022, shikueshmëria e filmit shqiptar  financuar nga QKK, është mjaft e ulët. Ndikon konkurrenca e blockbusters, është e vërtetë, ndikon shija e publikut dhe cilësia e filmit shqiptar. Po ç’mund të thuash për “Zgjoin”, që vinte në Tiranë pas suksesit më të madh ndërkombëtar që ka arritur ndonjëherë një film shqipfolës? Këto shifra do duhej t’i kishin shqetësuar me kohë Qendrën Kombëtare të Kinematografisë, Ministrinë e Kulturës dhe bashkitë e qyteteve."


Ka kinema Korça, por nuk ka pajisje projeksioni9. Gledis Bica do t’i marrë me qira për të organizuar sërish Festivalin e Filmit të Shkurtër në 18-22 shtator, tek ajo që ka mbetur nga “Majestic”-u. Ai nuk do të zgjidhte kurrë një cineplex për të shfaqur filmin e tij të ardhshëm. Vlera tregtare dhe kulturore janë dy mënyra të kundërta të të kuptuarit dhe matjes së vlerës së filmit. Ai është për zhvillimin e kinemave të qytetit dhe janë bashkitë që duhet të mendojnë për këtë të mirë publike. 
Shkodra ka një kinema, por sot që shkruajmë është i paqartë statusi i saj privat apo publik. 


Gjirokastra është një deluzion në mesin e propagandës për turizmin. Mund të të gënjejë atmosfera e ndenjëseve vintage në damask tek qendra “Musine Kokalari”, por gjëja e fundit “për të qenë” e shfaqur aty është “Dasma e Sakos” në 1998. Fotot që bëmë aty nuk kanë nevojë për koment. Sa për Elbasanin, ai është qyteti tipik që ka pasur shumë falë ekonomisë së centralizuar dhe asgjë prej ekonomisë së tregut10. Specialistët e kulturës në bashki na thanë: “Po, qyteti ka kinema. Shkoni në Labinot-Fushë, tek Luca.” Aty kalojnë filmat amerikanë të cineplex-it. Në verë rri mbyllur. Chez Luca tregtimi i nostalgjisë shkon sinkron me biznesin e peshkut. Kino-teatri i Patosit11, qyteti im i adoleshencës, qëndron në këmbë si simbol i mjaft objekteve brutaliste, që nuk kanë shans të kërkojnë ndonjë identitet mes së shkuarës dhe së ardhmes. 


"Kështu, pavarësisht nga statusi i kinemave, të pavarura, të administruara nga pushteti vendor, ose në pronësi të korporatave të mëdha, Ministria e Kulturës duhet të zbatojë një kuadër ligjor për kulturën e kinemasë dhe nëpërmjet saj për kinemanë kombëtare12. Një shembull: Fondi Kombëtar i Filmit në Rumani përcakton kuota për shpërndarjen dhe shfaqjen e filmit, sepse kinemaja konsiderohet produkt kulturor me rëndësi kombëtare. Kinemave u kërkohet të planifikojnë të paktën 5% të programit me filma rumunë - 1% në kohën e pikut - ndërsa për stacionet televizive, duke përfshirë privatet dhe kabllorët, kuota është 2%. Por, në vend të zbatimit të një politike për filmin dhe me fokus zhvillimin e audiencës, ka ministra në Shqipëri që ndjekin një ekzibicion të sëmurë facebooku, organizojnë “Netët e filmit” në zyrën e ministrit."


Për të larguar shijen e stilit Disney apo të stilit cool, u arratisëm me time mbesë në argëtimin shtëpiak. Si një lloj audience e individualizuar, ndoqëm përmes kanalit Criterion Collection “Hajdutët e biçikletave” të de Sica-s dhe dy filma të Dreyer-it “Vampiri” dhe “Zhanë d’Ark”. E vogla pëlqeu episodin në tavernë ku ndodh një përplasje klasash para pjatës së gjellës; horrorin që prodhon ëndërrimi kur gërmon në të kaluarën si dhe vajzën me flokë të qethura në gjyq. Ajo tani mund ta bëjë dallimin mes një movie dhe një filmi

_________________________________

Rreth Autores

Elsa Demo (Ph.D. në Studime Letrare) ka shkruar dhe botuar raporte, analiza dhe ese në shqip për artin dhe kulturën në media për dy dekada. Ajo ka qenë pedagoge e gazetarisë dhe Historisë së Arteve në Universitetin e Tiranës dhe Elbasanit. Së bashku me Ardian Klosin, ajo është bashkëredaktore e dy antologjive dokumentare dhe letrare, “Shqipëria kujton. 1944-1991” dhe “Shqipëria rrëfen 1991-2010”. Është autore e “Në teatër” (2023) dhe “E gjelbër gri në të zezë” (2023), jeton në Tiranë

© UNA Albania 2023

Shënim: Fotografitë e Kinemasë ‘Majestic’ janë realizuar nga Orestia Kapidani. Fotot arkivore janë nga AQSHF. Fotografitë e tjera janë marrë nga autori i artikullit.

1

https://www.unic-cinemas.org/fileadmin/user_upload/Publications/2022/UNIC_Annual_Report_2022.pdf

Sipas raportit të vitit 2022 Unionit Ndërkombëtar të Kinemave, në Shqipëri ka 19 ekrane kinemaje (pra, ekrane dhe jo kinema funksionale). Midis 38 vendeve të Evropës, Shqipëria renditet në vendin e 36-të, me numrin më të paktë të ekraneve. Pas saj vijnë Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, që kanë popullsi më të vogël se e jona. Sipas normave të Eurimages (fondi për kinemanë i Këshillit të Evropës) një vend evropian duhet të ketë 1 kinema për së paku 40 mijë banorë, kusht që Shqipëria 2.9 milionë banorë (në regjistra) nuk e përmbush. Midis 72 qyteteve, ato më të mëdhatë nuk kanë kinema qyteti, pra Tirana (895 160 banorë), Durrësi (205 849), Shkodra (135 612),  Elbasani (141 714), Vlora (189 311), Korça (86 176), Fieri (120 655), Berati (69 000), Lushnja (54 813), për të mos folur për Lezhën, Kukësin, Krujën, Sarandën etj.. 

Për aktivitetin e kinemave prej fillimeve deri në vitet 2000, shih: “Arti i shtatë në Tiranë”, Spiro Mëhilli, AQSHF, 2011. Për periudhën 1991-2003, mund të ndiqni këtë reportazh të çmuar të gazetarit Mishel Koçiu si dhe disa kronika në TV Klan: https://www.youtube.com/watch?v=m7JazgQC2hQ; https://tvklan.al/shkoder-kinemaja-me-refugjate-kosovare-19-prill-1999; https://tvklan.al/kinemaja-e-gjirokastres-dasma-e-sakos-5-mars-1999; https://tvklan.al/shembet-kinema-17-nentori-bashkia-lejon-ndertimin-e-nje-kompleksi-te-ri-14-shkurt-200

2

Susane Sontag, The Decay of Cinema, New York Times, 1996

3

Në 2013, në qendrën tregtare Tirana East Gate dhe në 2018 në Qendrën Tregtare Univers, u hapën kinematë cineplex, pjesë e korporatës së themeluar në Vjenë më 1993, me 35 multiplekse dhe 6 kinema tradicionale, të shtrira në Austri, Kroaci, Serbi, Slloveni, Mal të Zi, Maqedoni, Itali.

4

Natyrisht, pas Kinema Republikës alias “Millenium 1”, që u shkatërrua disa herë, derisa vendin ia zuri një qendër multifunksionale: https://tvklan.al/studio-franceze-merr-projektin-e-qendres-multifunksionale-tek-ish-kinema-republika-31-korrik-2003

Millenium 2 u ribë në ish-kinemanë e Pallatit të Pionierit (e projektuar në vitet ’70 nga Maks Velo) si projekt i “IDA” sh.a. (International Distribution for Albania). Kjo kompani, prej vitit 1999, ka pasur për pak kohë nën menaxhim rrjetin e kinemave Millenium në Elbasan, Shkodër, Korçë dhe “Millenium verore” në Sarandë. Dështimi i rrjetit ndërpreu komunikimin e publikut me filmin shqiptar në mënyrë të veçantë. “IDA” është akuzuar edhe për mosderdhjen e detyrimeve, 1% i të ardhurave nga biletat, në arkën e Qendrës Kombëtare të Kinematografisë (kam shkruar për procesin gjyqësor 2002 në gazetën “Korrieri”) dhe për shpërdorim të pronës publike: https://boldnews.al/2016/06/09/historia-e-shkaterrimit-te-kalase-se-tiranes-pergjegjesit-pa-ndeshkim/

Disa kronika mbi rrjetin Millenium i gjeni këtu: https://tvklan.al/kinema-millenium-22-korrik-1999; 

https://tvklan.al/perurohet-kinema-millenium-1-31-korrik-1999; https://tvklan.al/elbasani-me-kinema-te-re-8-dhjetor-1999; https://tvklan.al/nga-janari-kompleksi-me-i-ri-i-kinemasl-millenium-23-dhjetor-2000; https://tvklan.al/perurohet-kinema-millenium-ne-korce-17-qershor-2001; https://tvklan.al/digjet-kinema-millenium-ne-korce-22-dhjetor-2001

5

Phil Hubbard, Going Out (of Town): New Geographies of Cinema-Going in the UK,https://www.nottingham.ac.uk/scope/documents/2004/february-2004/hubbard.pdf

7

Është rasti të pohoj se një nga njerëzit që më dha mundësinë të zhytem në botën e filmit, është “kinefili”, një person anonim, të cilit i adresohesha përmes email-it të më përgatiste dvd (pirate sigurisht) bazuar në repertorin kyç të kinemasë botërore. Kjo ka ndodhur në mesin e viteve dymijë. “Kinefili” më rezultoi person shijehollë, pa ndonjë ambicie kinematografike, pjesë e asnjë klani. I jam mirënjohëse.

8

Të dhënat publikohen për herë të parë. Disa nga filmat e prodhuar me fonde publike kanë pasur këtë shikueshmëri: “Ndërkombëtarët” – 57 spektatorë, “Zgjoi” – 38, “Dy luanë drejt Venecias” -163, “Bolero në vilën e pleqve” – 1011, “Portret i pambaruar” – 118, “Nji prej nesh” – 129. 

Disa prodhime private: “Dashuri dhe turbulenca” – 20438, “Lugina e djallit” – 268, “Sofia” – 24810, “I Love Tropoja” – 50954, “2 gisht mjaltë” – 101150, “Falco” -7675. 

Në vitin 2019 Cineplexx Albania numëronte 30 000 shikues në muaj në të dyja qendrat tregtare, dhe në vit rreth 500 000. Sipas raportit 2022 të Unionit Ndërkombëtar të Kinemave, “Top 5 films, 2021” në Shqipëri kanë qenë: “Spider-Man: No Way Home”; “No Time To Die”, “Shkëmbimi” (film shqiptar me 11426 spektatorë), “F9”, “Venom: Let There Be Carnage”.

9

Mamica Mano, një nga trashëgimtaret e “Majestic”-ut në Korçë (e ngritur në 1926-’27) më tha: “Unë jam me të dyja duart lart që të vazhdojë të jetë kinema. Duket e vështirë për mënyrën si po zhvillohet shoqëria sot. Jemi shoqëri pak e çmendur. Njerëzit i ke vetëm në rrjetet sociale. Nuk i kam hequr posterat e festivalit të vjetshëm, sepse dua të më vazhdojë ai emocion. Të parët tanë kanë punuar dhe kanë pasur një mendim më vizionar për qytetin.”

Sotiraqi, mësues matematike, kur kujton kinema “Moravën”, rindërton nëpërmjet kujtimeve gjithë mjedisin qark në Bulevardin Republika me ish-liceun, ish-pastiçeri Moskën, bustin e Stalinit, kishën e Shën Sotirit përkarshi kinemasë. 

Diana, inxhiniere, ka parë tek “Morava” (siç quhej “Majestic”-u gjatë komunizmit) të gjithë filmat për jetën e muzikantëve të mëdhenj, Listin, Shopenin apo filmat amerikanë që kishin mbetur nga paralufta si “Kleopatra”, “Toka e faraonëve”, të dubluar italisht. “Brenda ditës kishte disa projeksione dhe kishte një pushim në mes”, kujton ajo. “Për filmat e bukur nuk gjeje biletë. Dalja e televizionit solli rënien e kinemave në vitet ’80.”

10

Kinemaja e Xhavit bej Biçakçiut, e quajtur “Bethoven” e më vonë “Nacional”, u hap në 1935. Nisi të përdorej si teatër në 1962. Aty u ngrit dhe një kinema verore që nuk ekziston më. Në 1967 u ngrit kinema “11 Nëntori”, “Millenium” më pas, e cila u shemb, sepse toka iu kthye pronarit. Ka ekzistuar edhe kinema “Pionieri” në muret anësore të kalasë, ku sot ndodhen Zyrat e Gjendjes Civile. “Kinometalurgu” e kthyer në qendër tregtare siç duket në fotot që kemi realizuar, ishte lloji i kinemasë që ngrihej në qendra të mëdha punëtorësh, të projektuara nga arkitektë në zë si Valentina Pistoli, Gj.Kroqi, F.Idrizi, V.Russi. 

11

Prej vitit 1971, kur u ngrit pallati i kulturës, në Patos ka një sallë kinemaje me 700 vende, stola kompesate. Për ekran ka një beze të vjetër dhe nuk ka aparat projeksioni.  

12

Ioana Uricaru, “Follow the Money - Financing Contemporary Cinema in Romania”, në “A Companion to Eastern European Cinemas”, edited by Anikó Imre, 2012, John Wiley & Sons, Inc.

Artikuj

Eksploroni njohuri dhe analiza magjepsëse dhe zbuloni historitë dhe këndvështrimet e krijuesve që formojnë peizazhin kulturor të Shqipërisë.

HARTA 5 - Institucionet artistike në Shqipëri: Tri perspektiva Thu Jan 01 1970

HARTA 5 - Institucionet artistike në Shqipëri: Tri perspektiva

Lexo më shumë
HARTA 4 - A është letërsia formë e artit pamor apo dëgjimor? Wed May 08 2024

HARTA 4 - A është letërsia formë e artit pamor apo dëgjimor?

Lexo më shumë
Tryezë diskutimi mbi Mekanizmat e mbështetjes dhe Burimet financiare për Artit Pamor në Shqipëri Fri Mar 29 2024

Tryezë diskutimi mbi Mekanizmat e mbështetjes dhe Burimet financiare për Artit Pamor në Shqipëri

Lexo më shumë