Ligjëratë e Kristoffer Leandoer mbi letërsinë, aftësitë dhe kufizimet
Të enjten, 18 maj, ora 18:00, United Nations Association Albania (UNAA) organizon në Berk, ligjëratën e mbajtur nga Kristoffer Leandoer, me titull “Letërsia, një formë arti pamor apo aureal?”, duke ftuar pjesëmarrësit në një përpjekje për të reflektuar mbi letërsinë dhe aftësitë e kufizimet e gjithsecilit.
“Në kohët e sotme, letërsia përkufizohet si një entitet që merr jetë në fletën e shkruar: një formë komunikimi pamor, çka se ajo e pat zanafillën te recitimi i nxënë përmendësh, dhe kështu vijoi shekuj me radhë. Duke shqyrtuar ndikimin që shikimi mund të ketë te vetë teksti, kjo ligjëratë përpiqet të dëftojë se letërsia nuk është ekskluzivë e asnjë shqise, por se mbase ajo është një shqisë më vete. Falë shembujve të vjelë nga nga shkrimtarë me shikim të kufizuar, gjatë historisë së letërsisë, duke nisur nga poema epike e John Miltonit "Parajsa e humbur" e deri te ornitologu amator J. A. Baker me "Shtegtari", le hetojmë së bashku rolin që shikimi i kufizuar mund të ketë mbi parafytyrimin. Aty ku lidhja mes mendjes dhe mjedisit përqark nis e dobësohet, zbulojmë se bash aty mund të lindin botë imagjinare tejet të pasura dhe ngjethëse. Në këtë takim do të ndjekim gjithashtu dhe shkrimtarin britanik Aldous Huxley, në luftën e tij për të përmirësuar shikimin, fillimisht përmes vullnetit dhe më pas nëpërmjet përdorimit të drogave halucinative, çka dhe ngre një pyetje tjetër: a është vërtet letërsia një formë e ëndrrës së kthjellët? E përfundojmë me poetët e rilindjes metafizike si Thomas Traherne, i cili imagjinoi se çfarë do të ishte bota nëse nuk do të kishim asnjë shqisë? Një hapësirë trillimesh të kulluara e imagjinate të dlirë. Një botë, ndoshta, që përbëhet nga letërsi e pastër.”
Kristoffer Leandoer
Kjo veprimtari vjen në kuadër të ArtNexus, një program ndërkombëtar i drejtuar nga Komiteti Suedez i Granteve të Arteve (SAGC) dhe Agjencia Suedeze për Bashkëpunim për Zhvillim (Sida) i zbatuar pjesërisht në Shqipëri nga UNAA. Programi promovon lirinë artistike, zhvillimin dhe forcimin e proceseve demokratike përmes bashkëpunimit me vendet partnere të përzgjedhura. ArtNexus synon të përmirësojë kushtet e artistëve për të praktikuar dhe siguruar jetesën përmes artit të tyre, duke mundësuar edukimin në fushën e artit. Në këtë kuadër, ArtNexus po mbështet Annex, një program artistik dhe arsimor i UNAA, që qëllimisht bën bashkë artistë pamorë dhe persona me aftësi të kufizuara në shikim/të verbër në një përpjekje për të bashkëpunuar dhe ndarë perspektivat e skajshme rreth krijimtarisë artistike. Nëpërmjet dialogut, punëtorive artistike, seancave të leximit të përbashkët dhe shkëmbimeve, Annex fton pjesëmarrësit në një përpjekje për të reflektuar mbi aftësitë dhe kufizimet e gjithsecilit.
Kristoffer Leandoer
është poet, eseist, kritik letrar, romancier dhe përkthyes suedez i profilit të lartë. Debutimi i tij në 1987, me përzgjedhjen poetike “Dykarklocka” u pasua nga një bibliografi e larmishme e përbërë nga më shumë se 30 libra të botuar, duke përfshirë tregime horror, romane fantazie, e një vepër madhore mbi historinë e letërsisë franceze (Shtëpia që ndërtoi Proust. 200 Vitet e modernizmit francez). Ai është nderuar me çmime për esetë e tij rreth natyrës së letërsisë dhe procesit të leximit dhe shkrimit dhe është nominuar dy herë për çmimin prestigjioz August Prize – në vitin 2010 (eseja Maska. Letërsia si vend i fshehtë) dhe në 2020 (eseja Longing Home, Longing Away, aktualisht në përkthim në gjuhën shqipe). Libri i tij i fundit, eseja “Den oavslutade litteraturen” (Letërsi e papërfunduar) u botua në janar 2023. Një herë anëtar i komitetit të Nobelit, Leandoer aktualisht jeton në Tiranë.